Zejtaria e mjeshtërve të vjetër – Lindja dhe zhvillimi i Çarshisë së Vjetër të Shkupit, sipas të dhënave të shkruara dhe shënimeve të udhëpërshkruesve të famshëm, përcillet që nga shekujt e mesjetës. E vendosur në rajonin qendror të qytetit dhe me zgjerimin e qytetit në anën e djathtë të lumit Vardar në periudhën mes dy luftërave ajo akoma mbetet destinacion atraktiv. Me tërë bukurinë dhe mundësitë e saj, çarshia ka mundësuar zhvillim të më tepër zejeve si dhe të tregtisë në tërësi. Shumë prej zejeve që kanë zërë vend në Çarshinë e Vjetër kanë qenë shumë të zhvilluara dhe të njohura. Shembulli më i mirë ka qenë përpunimi i lëkurës, leshit, dyllit, duhanit, sermës, perit të mëndafshit, produkte të qëndisura nga çoja dhe shumë të tjerë. Megjithatë, kah fundi i shekullit 19 për zejtarinë fillon etapa e stagnimit për shkak të depërtimit të kapitalit evropian dhe produkteve të lira që ofroheshin në treg.
Në këtë periudhë fillojnë të vdesin shumë prej zanateve tradicionale të lidhura më zanatin e këpucëtarisë, nallbanëve, termikëve, sermaxhi, etj. Vendin e tyre e marrin zanatet e reja që ishin në rritje si zanati i kapelabërësit, hekurosjes, rrobaqepësit, bravëndreqës, tapeta lyes, dhe shumë zanate tjera. Megjithatë në asnjë moment nuk duhet t’i harrojmë mjeshtërit e vjetër të Shkupit.
Me zanatin e abaxhinjve janë marrë edhe myslimanët si dhe të krishterët. Është përpunuar veshja për meshkuj nga aba që vishej nëpër fshatra dhe qytete. Në vitin 1925 kanë ekzistuar vetëm 8 dyqane të abaxhinjve. Me paraqitjen graduale të veshjes postmoderne të qytetit, zanati i abaxhinjve filloi të binte dhe në fund tërësisht të zhduket.
Në këtë periudhë ngritje kanë shënuar hanet dhe gjellëtoret, të cilat ekzistonin vetëm në Çarshi dhe në anën e djathtë të qytetit. Në të shërbehej ushqim dhe pije. Gjithashtu nuk duhet ti anashkalojmë dyqanet e hallvës dhe bozës që me numër gjithsejtë ishin 21 dhe me këtë zanat kryesisht merreshin myslimanët.
Kanë ekzistuar edhe punëtori për pije alkoolike që ishin 6 me numër, dhe më e njohur prej tyre ishte punëtori e familjes Kallajxhiev.
Jorganxhinjtë kishin çarshinë e tyre të jorganxhinjve. Ky zanat filloi të zhvillohet pasi në qytet fillon të shfrytëzohen krevate për fjetje. Ata kishin esnafin e tyre me vulë dhe me punëtori tërësisht të zhvilluar. Në vitin 1928 kanë ekzistuar gjithsejtë 10 punëtori të jorganxhinjve. Njësoj si jorganxhinjtë, edhe kazanxhinjtë kishin çarshinë e tyre të veçantë. Ata prodhonin enë për ushqim dhe pije, si dhe ornamente tjera prej bakri për shtëpi. Ky zanat ka mbijetuar deri me hyrjen në përdorim të enëve prej porcelani. Zanati i farkëtarit është një prej zanateve më të vjetra. Me këtë zanat kryesisht janë marrë Romët. Në vitin 1925 në Shkup kishte 37 punëtori të farkëtarit kurse në vitin 1928 gjithsejtë kishte 9 farkëtarë,, 9 punëtori të farkëtarëve dhe qerrendreqësve dhe 6 punëtori të qerrendreqësve.
Zanati i kujunxhinjve dhe zanati i artarisë i cili akoma është i tillë dhe një nga zanatet moderne më të zhvilluar në Çarshinë e Vjetër. Ata kanë përpunuar stoli, kryqe prej argjendi dhe ari për kishat dhe manastiret, kandila si një prej stolive më të llojllojshme, pastaj unazat, hallkat, vathët, qaforet, etj.
Zanati i qyrqinjve dhe lëkuraxhinjve ka qenë një nga zanatet më të zhvilluara në atë kohë. Çarshia e tyre ka qenë e vendosur në Qurqi Hani. Ata vetë e kanë regjur lëkurën, gjegjësisht e kanë përgatitur lëndën e parë, derisa lëkuraxhinjtë kanë shfrytëzuar lëndët e gatshme nga kafsha e egër dhe e llojllojshme. Qyrqinjtë kanë blerë lëkurë të qengjit, deles dhe lëkura tjera, pastaj i kanë regjur dhe në fund i kanë përgatitur për gëzofë, kurse prej lëkurës së deles për fshatarët kanë përgatitur gëzofë. Në vitin 1925 në Shkup kanë ekzistuar 27 dyqane të qyrqinjve kurse në vitin 1928 prej tyre kanë mbetur vetëm 7 dyqane.
Opingë bërësit kanë përpunuar produkte nga opinga për tregjet ose sipas porosisë. Ata kanë qenë të organizuar në esnaf të opingarëve i cili kishte vulën e vet. Në vitin 1928 kishte vetëm 7 dyqane të opingë bërësve, kurse zanati opingarëve dhe saraçëve kishte gjithsejtë 14 dyqane.
Duhet patjetër ti përmendim edhe samarpunuesit si një nga zejtarët kryesorë të Çarshisë. Ata kanë përpunuar shalë, samarë, kollanë, duqe etj. Me këtë zanat kryesisht janë marrë turqit. Numri i këtyre dyqaneve gradualisht është zvogëluar, në vitin 1925 kishte 25 dyqane kurse në vitin 1928 numri i tyre bie në 12.
Qiripunuesit janë quajtur mumxhinjë, dhe janë marrë me përpunimin dhe shitjen e qirinjve. Në vitin 1925 kishte 10 punues të dyllit përkatësisht prodhues të dyllit prej të cilit përpunohej qiriri. Në vitin 1928 kishte 5 punëtori të qirinjve si dhe punëtori prodhuese.
Zanati i orëndreqësit si një nga zanatet më të shpërndarë, ka qenë më i përhapur në periudhën mes dy luftërave botërore. Mjeshtrit e këtij zanati ishin afaristë shumë të respektuar për shkak se përveçse mirreshin me shitjen e orëve, ata edhe i riparonin orët. Përveç riparimit dhe shitjes së orëve, tek ata shiteshin edhe stoli.
Paraqitja e zanatit të fotografimit përputhet me zbulimin e vetë fotografisë. Në periudhën mes dy luftërave botërore, zanati i fotografisë përjetoi ekspansion të vërtetë. Kanë ekzistuar 7 atelje të fotografiës dhe 3 dyqane për foto material. Në periudhën mes dy luftërave botërore në shoqatat e zejtarëve kishte gjithsejtë 1485 zejtarë. Depërtimi i mallit industrial kontribuoi në rënien e zejtarëve. Të rralla ishin raste kur ndonjë nga zejtarët të mbanin punën e tyre dhe njëkohësisht të kalonte në radhët e aristokracisë. Dukuri e përditshme dhe masovike ishte varfërimi dhe proletarizimi i tyre.
Një nga farkëtarët në Çarshinë e vjetër pohon se sot është edhe më keq.
Nuk ka të interesuar që ti përcillet zanati. Me të mbaron edhe dëshmia e fundit e farkëtarëve në familjen e tij.
Ai pohon se të gjithë janë përcaktuar për profesione të ndryshme, më moderne dhe me hap me kohën.